Vërtetë do të dishë kush jam?
Jam Dardani, Dardan Sh... Ky "sh" duhet deshifruar vetëm si -
S H K R E L I.
I lindur 15 ditë para Vitit Ri 1970. Nëse të them se kam lindur në spital, mos mendo se kam qenë i sëmurë, e nëse shtoj se kam lindur në Kosovë, mos mendo se
kam lindur në burg, edhepse Kosova asokohet ishte një burg i madh, gjë që e dëshmuam me rininë tonë të bjerrë nëpër botë. Por më mirë nuk po e dramatizoj.
Përndryshe, edhe unë jam i shekullit të kaluar: atje më kanë lindur pa më pyetur fare, e në këtë shekull kam hyrë pa pyetur askë. Në ketë shekull shumica kemi
hyrë pa bileta!... A jemi ilegalë?!
A mund ta marrësh me mend çfarë nxënësi mund të jetë dikush që nuk e ka pasur mësues Aristotelin si e kishte Aleksandri i Madh por e kanë mësuar një
Elmaze, një Seniha, një Ali, një Ramush dhe tipa e tipesha të ngjashme të Mesjetës së vonë shqiptare?!... Natyrisht se i tilli, në vend se Aleksandër i Madh nuk
mund të arrijë më shumë se Dardan i Vogël, por as kjo nuk është pak...
Ndaj, ma merr mendja se as që ke pritur se edhe unë duhet ta pushtoj botën si Aleksandri. Ç'është e vërteta edhe kam mundur të bëjë diç të ngjashme, por e
kam bërë vetëm një gabim që në fillim: nuk jam nisur në Lindje (drejt Penxhabit e Indit si Aleksandri) POR në Përendim jam nisur (si Pirrua), prandaj dhe fitorja
ime është “fitore e Pirros" (shfletoje fjalorin e filozofisë nëse nuk e di, e gjenë te ata që shesin gështenja skajeve të rrugëve, nëse nuk i kanë bibliotekat gjysmë të
bëra shkrum).
...Por, ky “por" është me rëndësi: falë Beg-ut, Dandee-t, Canabis-it, përndryshe as fakultetin nuk do ta kisha gjetur ku të regjistrohem. E fakulteti, ai i arkitekturës,
më ka bë përshtypje sidomos me menzën e vogël ku vinin shumë të interesuar për vajzat tona të bukura, gjë që edhe mua më obligonte të jem ca i rregullt në
ligjerata e sidomos në byfenë, dhe fakti se jo larg fakultetit ka qenë qebaptorja e Vaxhidit dhe Vetonit, të cilët kanë merita vitaminoze për ne studentët, që për hirë
të qebapave të sillemi rreth fakultetit më shpesh.
Me 1991 ia therra për Evropë me një kitarë pas krahut, për “dy-tre muaj" e po bëhën 120 muaj (që bëjnë dhjetë vjet në kalendarë e 100 vjet në jetë!). Tash jetoj
në “trojet shqiptare" të Zvicrës, në Luçernë (gjithnjë rrëzë Alpeve shqiptare të Zvicrrës), dhe ndoshta një ditë do të kthehem në - Zanzibar a Tanzani. (A thashë -
Tunguzi, a më bënë veshtë?)
Ç' është e vërteta, për biografinë nuk shkruaj me dëshirë, pasiqë biografi ka çdonjëri. Atdhe nuk kam sepse e kemi të përbashkët. Atdheun nuk mund ta kem unë:
e kemi - ne, apojo? Besoj që edhe shtet tonin do ta kemi, nëse nuk na e hanë minjtë në ndërkohë. Dhashtë zoti që të na përputhen atdheu me shtetin dhe as
vendlindjet mos të na mbesin jashtë, se nga të ftohtit politik tëkurren ato e gjë nuk mbetet prej tyre. Për varre nuk do të shkruajmë: ato prona nuk deklarohen,
edhepse as ato nuk janë të patundshme!!!
Në jetën time ka pasur edhe: dashuri e urrejtje, art e protestë, poezi e shqetësim, krajata e ëndërra shumë; ka qenë edhe ndonjë shpërblim, ndonjë medalje e
bukur, do duartrokitje pa çmim. Kam shkruar poezi, tregime, me humor jam marrë saherë që ia kam pasur frikën pikëllimit, kam komponuar kur s'kam pasur punë
tjetër, e, kam kënduar saherë s'kam pasur gjumë e guxim.
Por edhe e kam shkarravitur këtë gjysmë jete, herë për qejfi të huaj e herë për inati tim, sepse... ashtu kam dëshiruar! Më mirë s'kam dijtur, më keq s'kam
guxuar, le të dalë ku të dalë. Edhe unë si të tjerët. Si gjithë bota...
Edhe një rekapitulim të vogël të gjithë asaj që (nuk) e thashë:
Unë jam Dardani, Dardan Shkreli, i Ymer Shkrelit të SHKRELVE të Rugovës. S'ka nevojë të theksohet "Rugovës së Pejës", sepse askund në botë nuk ka
Rugovë tjetër pos kësaj, Rugovës sime, Rugovës së Shkrelëve dhe të tjerëve, që nuk janë të detyruar të jenë Shkrel për të pasur Rugovë të tillë. Për Rugovën
nuk do ta shkruaj asnjë fjalë të vetme, pos - Zoti e ruajt nga ne!
Për Shkrelët e mi...
...vëllezërit Shkreli janë të bijtë e Ujkan Smajlit të Shkrelit, siç ishte me të 100-tat e veta Ujkan Smajli i Shkrelit, i biri i Smajl Demës (gjithaqë) të Shkrelit dhe tutje
e tehu, deri në "Ka të Zi". Kryesisht rrojtën në shkrepa të Rugovës, "tek bë dreqi vo", si thuhet, dhe vetëm pas Luftës së Dytë zbritën në të rrafshtë, dolën në të
shp'larë ca syresh: i nxorrën shqetësimet e veta në titërr. Të parët u provuan në letërsi, pastaj ndonjëri iu zvarr muzikës dhe arteve të tjera, po as sporti nuk
shpëtoi pa ndonjë medalje të Shkrelëve, si të tillë.
Adem Shkreli, më i madhi vëlla, trokiti zëshëm në portat e letrave shqipe me një mbiemër të huajtur nga Kelmendët, por Azemi ishte ai që i shqelmoi ato porta
druri, dhe shkeu mjergullën e paragjykimeve. Pastaj u krijua një si inercion familjar që e përfshiu Ymerin dhe të tjerë, varg e vi. Në ndërkohë, Hysi gjeti veten në
Radio e Televizion të Prishtinës, Dardani në muzikë, Aliu, Afrimi e Valoni nuk i lanë shumë mëngu sportit...
Mund të thuhet se, Shkrelët bënë aq sa dijtën e mundën, dhe e bënë këtë me bindje të fortë se po bëjnë atë që duhet, gjë që duhet të ishte e vërteta e parë,
nëse vërtetë edhe Shkrelët bënë ndonjë pikë uji në këtë detin tonë të thellë, shqiptar.
...Po janë edhe do Shkrel pastaj, do Shkrel më të vegjël si Joni, Lorika, Trojani e Arti, e kur dihet se në Rugovë edhe njerëzit e mëdhenjë lindin të vegjël, atëherë
nuk i dihet punës. Prej tyre mund të dalë ndonjë "hundëlesh", si thuhet. Nuk duhet të ju befasojë mundësia e tillë.